AlbanianSport.com 09.01.2016 19:50
ASNN – Federata e Shqiptare e Futbollit do t’i rrisë pagën trajnerit Xhovani De Biazi. Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv e kanë diskutuar ndryshimin e kontratës. Ofertat e shumta drejt De Biazi nga klube të ndryshme, më e fundit nga Kina, ishte një shtysë më shumë për drejtuesit e FSHF-së të ndryshojnë kushtet e marrëveshjes, që është rinovuar automatikisht për Eliminatoret e Botërorit 2018.
Rritja e pagës pritet të bëhet në përfundim të fazën finale të Evropianit. Ajo do të jetë 60% më shumë nga aktualja dhe mendohet rreth 1 milionë në sezon. Në intervista të ndryshme, trajneri ka dhënë sinjale që dëshiron përmirësimin e kushteve financiare, kjo e shtyrë natyrisht nga suksesi i arritur me kualifikimin e Kombëtares në Euro 2016, ku mori edhe një shpërblim 200 mijë euro.
FSHF nuk e ka bërë publike asnjëherë pagën e trajnerit dhe bashkëpunëtorëve të tij, por në rast ndërprerje të saj, penaliteti është 100 mijë euro. Kështu, ndonëse nuk ka patur një njoftim zyrtar paraprak, të premten është zhvilluar mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë, e para për vitin 2016. Tema kryesore e saj ka qenë kontrata e trajnerit të kombëtares, Xhovani De Biazi.
Ky i fundit, sipas burimeve të sigurta nga ekzekutivi i futbollit shqiptar, ka këmbëngulur fort, që prej ditës së kualifikimit të kuqezinjve në “Euro 2016” për të pasur rritje të rrogës. Këtë kërkesë ia ka përsëritur herë pas here presidentit Armand Duka, që të vijojë bashkëpunimi. Presidenti i FSHFsë ka kërkuar edhe mendimin e anëtarëve të KEsë, edhe pse e ka “tagër” të vetin marrëveshjen me trajnerin e kombëtares.
Dhe kjo, qoftë për emërimin dhe shkarkimin, qoftë për kushtet financiare të kontratës. Gjithashtu në mbledhjen e së premtes është marrë në konsideratë kërkesa e 60vjeçarit italian, për t’iu rritur rroga në masën 60 %. Pra, shtesa në pagesën aktuale mujore, që merr De Biazi, do të jetë 60 % më shumë nga janari e në vazhdim. Me shifra të sakta nuk mund të flitet dot, pasi termat financiare të kontratës aktuale, ruhen me fanatizëm nga FSHF-ja.
Komiteti Ekzekutiv ka qenë i një mendjeje, po ashtu, që pas kësaj rritjeje, nëse De Biazi hedh të tjera “vickla”, apo kërkon largimin (në mbledhjen e djeshme është folur për ofertën kineze, që i ka ardhur trajnerit të kombëtares), të lihet i lirë. Kuptohet, kjo gjë vlen më shumë pas finaleve të “Euro 2016”, sepse deri aty është i sigurt dhe do të kapërdihet sido të vijnë punët nga FSHFja bashkëpunimi.
Kjo nuk vihet në diskutim as nga De Biazi, sidomos pas kësaj rritjeje të rrogës. Në kontratë ka një klauzolë, që thotë se në rast të prishjes së njëanshme të marrëveshjes, dëmshpërblimi është 100 mijë euro. Trajnerit kuqezi i është garantuar mbështetje maksimale në këtë periudhë, kur do të bëhen përgatitjet për fazën finale të Evropianit 2016.
Burimi brenda Komitetit Ekzekutiv të organizmit që qeveris futbollin shqiptar kanë thënë se ka pasur presion dhe lojëra nga ana e De Biazit për të përfituar domosdo rritje të pagës. Thënë ndryshe, FSHFja është dorëzuar më në fund para kërkesave të tij financiare, të paktën deri në finalet e “Euro 2016”. Më pas, ka gjasa që “topi: të ndërrojë fushë.