AlbanianSport.com 09.01.2016 10:05
ASNN – Më në fund, edhe sporti i topkëmbës po thyhet përballë revolucionit teknologjiko-kibernetik dhe teknologjia do të jetë edhe më tepër e pranishme në fushën e blertë, pasi pamjet filmike do t’u vijnë në ndihmë gjyqtarëve. Edhe pse futbolli në shumë vende i është dorëzuar pjesërisht teknologjisë, siç është rasti me përdorimin e saj për të përcaktuar nëse topi kalon vijën fatale, ndryshimet e pritshme nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB), pritet të shkaktojnë revolucion.
IFAB-i, që është cilësuar si një mbrojtës i shenjtë i rregullave të sportit më popullor në planet, i ka rekomanduar FIFA-s që të shtojë eksperimentimin me video-teknologjinë në mbështetje të gjyqtarëve. Kjo do të zyrtarizohet në mbledhjen e ardhshme, të parashikuar të mbahet në kryeqytetin e Uellsit, në Kardif, nga 4 deri në 6 mars të këtij viti dhe është një perspektivë që shkon përtej diskutimit “gol apo jo”, që përdoret për shembull në Serinë A.
Kështu pas diskutimesh të vazhdueshme dhe qëndrimeve kundër, për herë të parë, nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB) shprehet në favor të teknologjisë së shtuar në “lojën e bukur”. Për momentin nuk dihen ende modalitetet e protokollit që do të sjellë video-asistencën për gjyqtarët, por anëtarët e IFAB-it do të ftohen në asamblenë botërore që të votojnë për një fazë eksperimentimi, një votim fiktiv në Kardif pas dy muajsh, me rezultatin tashmë të ditur.