AlbanianSport.com 08.01.2016 16:10
ASNN – Insituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), e ka shpallur Xhovani De Biazin si trajnerin e 6-të në botë në rang përfaqësuesesh, bazuar mbi rezultatet e mira të regjistruara gjatë vitit 2015. Në renditjen e trajnerëve më të mirë të vitit, italiani që prej disa kohësh mban edhe pasaportën shqiptare lë pas emra të rëndësishëm të futbollit botëror, si Visente Del Boske.
Ajo që nisi zyrtarisht me firmën më 14 dhjetor të 2011-ës dhe në fushën e blertën në atë mbërmje të ftohtë të 29 shkurtit të 2012-ës në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi, u kurorëzua me atë sukses historik të 11 tetorit të vitit të shkuar jo shumë larg nga zanafilla, në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, ku Shqipëria u kualifikua për herë të parë në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike siç është Evropiani “Francë 2016”.
Kjo është me pak fjalë aventura e deritanishme e Xhovani De Biazit me Kombëtaren, çka ka bërë që trajneri i kuqezinjve të përzgjidhet nga Insituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), si trajneri i 6-të në botë në rang përfaqësuesesh që ka regjistruar rezultatet më të mira gjatë vitit 2015. Falë vendit të dytë që arriti me Shqipërinë në Grupin I eliminator duke lënë pas përfaqësuese të tilla si Danimarka, Serbia dhe Armenia, De Biazi ka grumbulluar 23 pikë në klasfikimin e vitit 2015-të të publikuar nga IFFHS-ja.
Në renditjen e trajnerëve më të mirë të vitit, italiani që prej disa kohësh posedon edhe pasaportën shqiptare lë pas emra të rëndësishëm të futbollit botëror, si Vicente Del Boske që ka fituar një kampionat botëror dhe një kampionat evropian me Spanjën apo edhe Gerardo Martinon e Argjentinës. Pas De Biazit pozicionohen edhe suedezi Lars Lagerbak, që kualifikoi Islandën në Euro 2016-të dhe uellsiani Kris Koleman që bëri të njëjtën gjë me përfaqësuesen e vendit të tij.
Në krye të klasifikimit për vitin 2015-të IFFHS ka vendosur Horge Sampaolin, trajnerin argjentinas që fitoi Kupën e Amerikës me Kilin ndërsa 5-shja e parë plotësohet nga Joakim Lëvi, Roi Hodxhsoni, Marsel Koleri dhe Majkëll O’Nilli i Irlandës së Veriut.