AlbanianSport.com 07.01.2016 19:10
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, Fadil Vokrri beson se Kosova do të jetë përfaqësuese e denjë në Eliminatoret e Botërorit “Rusia 2018”. Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), tha gjithashtu se trajnerin Albert Bunjaki ka bërë punë të madhe me ekipin, duke evidentuar futbollistë të talentuar që luajnë nëpër Evropë.
“Ekipi përfaqësueses tashmë po rritet dita-ditës, – ka deklaruar Vokrri për “KosovaPress”. – Trajneri ka bërë një punë të madhe në këtë fazë, duke evidentuar futbollistët që aktualisht luajnë nëpër klubet evropiane dhe ka bërë një bosht të asaj që quhet strukturë e ekipit përfaqësues.”
“Dhe kur kësaj t’i shtohen edhe emrat që mund të bashkëngjitën në vazhdim, atëherë kjo na bën të besojmë se do të jemi rival i denjë në Eliminatore”, – ka përfunduar Vokrri. Ndonëse i lejohet të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtare, Kosova ende nuk është pranuar me të drejta të plota as në UEFA dhe as në FIFA.