AlbanianSport.com 07.01.2016 18:25
ASNN – Nëpërmjet faqes së tij zyrtare, klubi i Mançester Junajtid ka njoftuar se, Borusia e Dortmund ka ndërprerë marrëveshjen për huazimin e Adnan Januzajt. Lojtari tashmë i është bashkuar skuadrës së parë të “Djajve të kuq” dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur që në ndeshjen e ardhshme. Kështu, aventura e Januzajt në Gjermani ka zgjatur vetëm 6 muaj, pasi lojtari ka luajtur shumë pak, duke luajtur vetëm një herë si titullar në Bundesliga.
Ndërkohë, tabloidi i njohur “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull të veçantë talentit shqiptar, Adnan Januzaj, për të cilin thotë se e ka humbur tërësisht rrugën dhe se rikthimi te Mançester Junajtid është mundësia e fundit për të. Në artikullin e të përditshmes britanike raportimi nis për “ngacmimin” që ai i ka bërë bashkëlojtarëve të tij të Belgjikës gjatë Kampionatit Botëror të 2014-ës. “Ai kishte një shprehi që të fuste topin mes këmbëve të lojtarëve në ushtrime”, – ka thënë një burim i gazetës.
“Ai vazhdonte këtë dhe kjo nuk u pëlqente. Adnanit më pas një nga trajnerët i kishte sugjeruar se nëse do që të ketë aleatë në skuadër duhet ta ndalë atë shprehi.” Dy vjet më vonë, Januzaj, që kishte shumë probleme në këtë periudhë, vështirë që do të gjejë më vend në skuadrën e Mark Vilmotsit, thuhet në analizën e “DailyMail”. Gjatë verës, Januzaj u huazua për një sezon te Dortmundi, por ky huazim u ndërpre në merkaton e janarit për shkak të minutazhit të vogël të lojës që kishte në Gjermani.
Pavarësisht, gëzimit që kanë shpalosur tifozët të Mançester Junajtidit, sipas “Daily Mail”-it, Januzaj nuk është ftuar nga trajneri aktual Luis van Gal në “Olld Traford”. Ai është kthyer në Angli pasi vetë ka kërkuar kështu, sepse për katër muaj në Gjermani ishte thuajse përherë zëvendësues. “Ishte dëshira e Adnanit për t’u kthyer dhe huazimi nuk ishte marrëveshje e mirë për asnjërën palë”, – ka thënë drejtori sportiv i Borusias së Dortmundit, Mikael Zorc.