Gjergj Vyshka 07.01.2016 15:25
Memoriali “Vllaznia”, një veprimtari që tashmë është e përvitshme në kalendarin ndërkombëtar të Federatës Evropiane të Boksit dhe asaj botërore, sivjet do të zhvillohet nga data 10, deri më 14 mars. Risia, të paktën edhe sipas drejtorit teknik të Federatës Shqiptare të Boksit, Mirgen Pero, do të jetë pjesëmarrja për herë të parë e femrave.
“Ne do t’i dërgojmë ftesa të gjitha shteteve anëtare të Federatës Evropiane të Boksit, apo dhe të kontinenteve të tjera, të cilat deri në afatet e përcaktuara prej nesh si organizatorë duhet të na japin konfirmimin nëse do të marrin pjesë apo jo”, – ka rrëfyer zyrtari i “dorezave” shqiptare.
“Ne shpresojmë që të jetë një aktivitet i bukur, ndërsa prej më shumë se sa tetë vjetësh është në kalendarët e veprimtarive ndërkombëtare, – shton Pero. – E kjo nuk është pak.” Ndërkohë që shumë shpejt do të bëhet edhe analiza vjetore, e cila do të bëjë dhe miratojë shpërndarjen e fondeve “Grant”, të cilat pritet të zbardhen shpejt nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aq më tepër që ky është vit olimpik.