AlbanianSport.com 06.01.2016 13:45
ASNN – Pas zyrtarizimit të Zinedin Zidanit në krye të Real Madridit, kanë nisur të qarkullojnë zërat për përforcime të bujshme. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, prioritet i Zidan gjatë merkatos së janarit është ylli i Çellsit, Eden Hazard. Duke marrë parasysh faktin që futbollisti belg nuk po kalon ditë aspak të mira te skuadra angleze, një transferim i tillë duket më se i mundshëm.
Ndërkohë që marrjen e drejtimit të Realit të Madridit nga Zidan e ka përshëndetur edhe ish-mesfushori i madrilenëve, David Bekham, i cili ka thënë se Zidani është personi i duhur për të drejtuar klubin “mbretëror” pas largimit të Benitezit. “Ai është personi i duhur për të drejtuar Realin, pasi ai ka dëshirë dhe pasion për të triumfuar dhe nuk e pranon disfatën”, – ka thënë anglezi.
Ndërkohë, Milani ka zyrtarizuar rikthimin e Kevin Prins Boatengut si lojtar të tij. Mesfushori do të veshë fanellën kuqezi në pjesën e dytë të sezonit futbollistik. Lajmin e ka konfirmuar administratori i Milanit, Adriano Galiani, i cili ka thënë se Boatengu ka nënshkruar një kontratë deri në 30 qershor 2016.