Gjergj Vyshka 06.01.2016 12:55
Basketbollisti i njohur shqiptar Gerti Shima do të rikthehet në Shqipëri pas një aventure disavjeçare në Kosovë. Por rikthimi i tij në kampionatin shqiptar do të jetë disi i veçantë. Ai nuk do të luajë menjëherë me bardheblutë e trajnerit Roland Avrami, por ndoshta në fazën e “play-off”-it, apo në shtator të këtij viti kur të nisi sezoni 2016-2017. Një gjë të tillë e konfirmon trajneri i bardhebluve, Roland Avrami, që deklaron: “Gerti Shima do të jetë pjesë e Tiranës për vitin 2016, çka lë të nënkuptosh se ai mund të vijë tani në “play-off” apo edhe në shtator kur të nisë kampionati i ri.”
“Dhe kjo ka më tepër mundësi, sepse ai ka firmosur tashmë për Prishtinën”, – ka shtuar Avrami, i cili ka postuar në profilin e tij në “Facebook” një foto bashkë me Gerti Shimën dhe të dy mbajnë fanellën e Tiranës, me komentin “Gerti Shima, pjesë e KB Tiranës për vitin 2016”. Por trajneri i bardhebluve shpreson shumë që ta ketë në dispozicion Shimën në fazën e “play-off”-it. Merkatoja e basketbollit shqiptar është e hapur deri 24 orë para fillimit të fazës së “play-off”-it, çka do të thotë që ekipet mund të përforcohen me lojtarë shqiptarë, apo të huaj deri në momentet e fundit.
“Ne shpresojmë ta kemi Gertin në dispozicion në play-off, pasi ai është një lojtar me vlera, – thotë më tej Avrami. – Por gjithçka do të varet nga ecuria e tij në Kosovë. Ne kemi synimet tona për të ardhmen dhe nuk fshihemi që duam titullin “kampion”. Kjo do të jetë e vështirë duke qenë se janë tri skuadra pretendente, por deri në fund kampionati do të jetë i hapur. Ne shpresojmë të arrijmë objektivat tona dhe të rikthejmë titullin te skuadra e Tiranës.” Basketbollisti Gerti Shima është një ndër më të mirët e koshit shqiptar në vitet e fundit.
Ndërkohë që prej disa sezonesh luan në Kosovë, ku dhe është dalluar. Përvoja e tij është e madhe dhe një rikthim, te Tirana, klubi ku dhe është rritur do t’i jepte një ndihmë të madhe skuadrës bardheblu në fitimin e titullit “kampion”.