AlbanianSport.com 05.01.2016 19:50
ASNN – Problemet financiare te Vllaznia, lojtarët kërkojnë pagat dhe kërcënojnë me bojkot. Klubi shkodran nuk po kalon një sezon të qetë, pasi ecuria e skuadrës në kampionat ka edhe një anë tjetër, pagat e pamarra të lojtarëve. Ata janë takuar të martën me kryetarin e Bordit Mbikqyrës të klubit, Shpëtim Quku. Futbollistët kanë kërkuar pagat e prapambetura duke vendosur edhe një ultimatum duke kërcënuar me bojkotim të stërvitjes.
“Duam pagat dhe përforcime, – ka deklaruar për mediat kapiteni i Vllaznisë, Ndiçim Shtubina. – U kemi lënë afat deri të premten, nëse nuk realizohen nuk dalim më në stërvitje.” Kryetari i Bordit Mbikqyrës të klubit nuk ka komentuar takimin me lojtarët. Me zgjidhjen e problemeve ekonomike pritet edhe afrimi i trajnerit të ri. Emri më i përfolur është Armando Cungu. Kështu, mes debatesh me tone të lartë futbollistët e Vllaznisë i kanë vendosur një ultimatum klubit për zgjidhjen e situatës së rëndë financiare.
Ata kërkojnë zgjidhjen e krizës deri në fund të javës, në të kundërt skuadra rrezikon shpërbërjen. Ky është paralajmërimi që lojtarët e Vllaznisë i kanë bërë bordit të klubit dhe Bashkisë së Shkodrës nëse brenda kësaj jave nuk zgjidhet situate e rëndë që shoqëron skuadrën gjatë gjithë sezonit. Më shumë se një ultimatum, ata që futbollistët shkodranë ia bënë të ditur kryetarit të bordit mbikqyrës Shpëtim Quku ishte një kërcënim se ekipi rrezikon shpërbërjen.
Mes debatesh ku nuk munguan tonet e lartë, lojtarët e Vllaznisë kanë kërkuar garanci financiare, emërimin e një trajneri të ri dhe disa blerje në merkato. Përballë revoltës se futbollistëve, kryetari i bordit të klubit nuk ka dashur të komentojë debatet dhe kërkesat e tyre. Debatet nuk munguan edhe jashtë zyrës. Mesfushori Florind Bardulla ishte nga më të revoltuarit dhe jashtë mjediseve të Fushës Sportive “Reshit Rusi” ai debatoi me drejtorin sportiv Admir Grima dhe kapitenin Shtubina.
Bardulla ka kërkuar që kriza të zgjidhet më shpejt. Megjithë situatën e rënduar skuadra vazhdoi stërvitjen në pritje të trajnerit të ri. Ai pritet të jetë Armando Cungu. Ish-trajneri i Kukësit dhe Laçit është gati të firmosë nëse merr garanci financiare, por kjo kërkesë duket shumë e vështirë që t’i plotësohet.