AlbanianSport.com 05.01.2016 14:35
ASNN – Sipas një njoftimi të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ka nisur sot në orën 09.00 në Fushën Sportive “AO LEONTES” të Selanikut seria e përzgjedhjeve për futbollistët kandidatë të skuadrave kombëtare të moshave. Këto përzgjedhje, që kanë nisur sot, do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit janar sipas një grafiku të përcaktuar nga Sektori i Ekipeve Kombëtare.
Në përzgjedhjen e sotme morën pjesë 31 futbollistë të datëlindjes 2000-2001. Ndërsa për datëlindjen 1998-1999, kishte 38 futbollistë. Nën vëzhgimin e trajnerëve të kombëtares së Nën-17-vjeçarëve, Xhemal Mustadanagiç, të kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Arjan Bellai, dhe specialistit Abdyl Kuriu, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, kandidatët treguan vlerat e tyre.
Sipas informacionit që ka dhënë për faqen zyrtare të FSHF-së në Internet, Denis Lilo, nga Drejtoria e Ekipeve Kombetare, nesër grupi i specialistëve përzgjedhës, do të zhvendoset në Athinë ku për dy ditë me radhë, do të vazhdohet me pjesën tjetër të futbollistëve kandidatë nga Greqia. Seleksionimet do të vazhdojnë më 9 janar në Zyrih dhe 11 janar në Verona.