AlbanianSport.com 05.01.2016 13:50
ASNN – Armando Manoku, ish-atleti i Skënderbeut, që për herë të fundit në aktivitetet kombëtare të Shqipërisë ka marrë pjesë në kampionatin kombëtar të të rriturve, është duke shkëlqyer në Amerikë. Në garën e fundit kombëtare në vendin tonë, më 10 qershor 2014, ai pati dalë i parë në vrapimin 400 metra, ndërsa pat regjistruar kohën 50”69.
Që prej asokohe është akomoduar në Xheksonvillë të Floridas, atje ku nuk e ka lënë mënjanë atletikën. Pikërisht më 5 tetor ai ka marrë pjesë në një garë të hapur vrapimi në gjatësinë 5 kilometra, e cila ka përmbledhur të gjitha moshat, që nga fëmijët e deri tek të rriturit. Dhe me kohën 18’18” është në vendin e katërt për të rritur, kurse për grupmoshën 20-24 vjeç është në vendin e parë.
“Jam duke vazhduar stërvitjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse atletika është pasioni im. Shpresoj që shumë shpejt të kujtohen për mua, sepse unë vijoj të kem rezultate të mira”, – ka thënë Manoku nga përtej Oqeanit një sportist që deri më 2014-ën ka qenë i perspektivës për Skënderbeun dhe i tillë duket se është dhe sot.