Gjergj Vyshka 05.01.2016 10:50
Federata Shqiptare e Volejbollit dhe presidenti i saj Erlind Pëllumbi kanë mbyllur fazën e parë të projektit të zhvillimit të kësaj loje nëpër shkolla. Në fakt projekti ka nisur në Divjakë, Lushnje, Fier, Vlorë dhe Himarë dhe finalja ka qenë në Durrës. Një projekt që jo vetëm që ka pasur mbështetjen e Federatës Botërore dhe Evropiane të Volejbollit, por dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Sepse për ta vënë në jetë këtë projekt janë vënë në lëvizje dhe Drejtorët e Drejtorivë Arsimore Rajonale. Ndaj dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlin Pëllumbi, ka gjetur rastin t’i falënderojë ato, por jo vetëm, por dhe Kryetarëve e Bashkive të këtyre qyteteve, që janë treguar të gatshëm për t’i dhënë një jetë ndryshe nxënësve të shkollës.
Nga Federata Shqiptare e Volejbollit për të gjitha shkollat pjesëmarrëse në këtë projekt janë topa e rrjeta, sepse kjo lojë duhet të ketë vazhdimësi dhe nuk duhet të përfundojë këtu. Ndërkohë burime pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit konfirmojnë se do të ketë edhe një fazë të dytë, e cila do të zhvillohet në rrethet e Rrëshenit, Lezhës, Dibrës, Fushë-Krujës, Korçës dhe Pogradecit. Ideja është masivizimi i këtij sporti në ato qytete që ka ambiente të tilla.