Gjergj Vyshka 05.01.2016 10:05
Shtanga shqiptare, së bashku me kombëtaren e saj që nga 15 janari 2016 do të jetë e grumbulluar në Shtërmen, një komunë që jo vetëm nxjerr peshëngritës nën drejtimin e trajnerit Leonard Toska, por dhe “kampionë” dhe medalistë ndërkombëtarë si Calja. “Ne kemi vendosur që tashmë kombëtarja shqiptare, e përbërë nga 8 meshkuj dhe 4 femra, përgatitjet e saj për Kampionatin Evropian të Të Rriturve në Oslo t’i bëjë në Shtërmen, – ka zbuluar presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. – Është një palestër në të cilën ne kemi investuar dhe është në kushte komode.”
“E jo vetëm kaq, por është një komunë që e do peshëngritjen, sikurse të gjithë shqiptarët, – vijoi ai. – Pa thënë që gjithçka atje është “bio”. Jo vetëm kaq, por do të bëjmë edhe testet e antidopingut për sportistët tanë. Sepse në Botëror shkuam serbes pasi e dinim që përpara nisjes që si Calja, ashtu dhe Qerimaj, janë të pastër. E them këtë sepse bëmë analizat përpara nisjes, gjë në Botërorin e Kazakistanit nuk e kryem, kur na rrëmbeu dhe euforia. Më duhet të them që më tepër se sa rezultati për mua si president kishte shumë rëndësi negativiteti i analizave të dopingut të sportistëve.”
“Ndaj që nga 15 janari do të jenë të grumbulluar atje dhe do të kryhen dhe analizat antidoping përpara nisjes për në Oslo”, – ka shtuar Gjoza. Rastet e dëmtimit të Ramadanit në Evropianin e Nën-15-vjeçarëve, apo dhe e Lushit në Evropianin e Të Rinjve e kanë detyruar Gjozën që Kombëtares t’i vendosi edhe një staf mjekësor. “Më duhet të them se ekipe të tjera vijnë me staf të madh të përbërë nga fizioterapist, masazhator dhe psikolog”, – ka theksuar kreu i FSHP-së.
“Në këto kushte edhe duke evituar dëmtimet, sepse më duhet të them që Lushin e kemi dërguar unë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Agron Haxhihyseni në spital e më pas janë bërë kontrollet mjekësore të rëndësishme, skuadra do të ketë mjekun dhe masazhatorin. Qëllimi ynë është të renditemi nga vendi i parë në vendin e tretë në Evropian dhe të kualifikohemi me ekip të plotë në Olimpiadë. Sepse peshëngritja do të vijojë të jetë elitë e sportit shqiptar”, – ka përfunduar Gjoza.