Gjergj Vyshka 04.01.2016 19:30
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, MajlindaPilinçi, ka dhënë dy lajme për veprimtaritë ndërkombëtare të vitit 2016. Sigurisht, duke marrë dhe lejen e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi, i cili në Federatën Shqiptare të Shahut mbulon pozicionin e drejtorit të Akademisë. Së pari, Pilinçi ka lajmëruar se Kampionati Botëror i Shkollave për vitit 2016 do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa sipas Dervishit kanë mbetur ende disa detaje për t’u sqaruar.
Së dyti, shahu në shkolla po vjen gjithnjë në rritje falë kontributit të Erald Dervishit, Rozana Çimës (Gjergji), Arta Drizës e të tjerë, të cilët kanë marrë përsipër të përgatisin brezin e ardhshëm të shahistëve në vendin tonë. E së treti në Olimpiadën Botërore të 2016-ës, e cila do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, nga data 17, deri më 30 shtator, do të kërkohet që Shqipëria të organizojë më 2017-ën Evropianin e grupmoshave.
Nuk duhet harruar se shahu shqiptar ka eksperiencën e të organizuarit të matçit botëror për femra më 2011 mes Humpi Konerus (Indi) dhe Hou Ji-fan (Kinë), e cila u zhvillua në ambientet e hotel “Tirana”. Pa thënë turnetë ndërkombëtar në Durrës. Ndaj Botërori i shkollave, apo dhe nisma për organizimin e Evropianit të grupmoshave rrisin prestigjin e Federatës Shqiptare të Shahut.