AlbanianSport.com 04.01.2016 18:35
ASNN – Në qoftë se 2015-ta ishte viti më i ngjeshur përsa i përket dendësisë së veprimtarive të zhvilluara, në 2016-ën do të synohet rritja e cilësisë. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, ky është synimi kryesor që Federata Shqiptare e Basketbollit i ka vënë vetes. Duke folur për ekskluzivisht për AlbanianSport.com, ai theksoi se, si rrallëherë më parë, Shqipëria do të marrë pjesë me të gjitha ekipet përfaqësuese në të gjitha nivelet e moshave në arenën ndërkombëtare.
Kështu, viti 2016 është viti ku do të synohet kalimi nga aspekti sasior në atë cilësor. Ky është synimi kryesor që Federata Shqiptare e Basketbollit i ka vënë vetes dhe këtë e pohon për Albaniansport.net edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Korab Llazani. “2015-ta ishte një vit i ngarkuar me veprimtari, madje ka qenë viti ynë më i ngarkuar me veprimtari, qofshin këto ndërkombëtare dhe kombëtare, në të gjitha kategoritë dhe grupmoshat, – ka thënë ai.
“Më tepër ka qenë ngarkesë voluminoze pune, me ekipet kombëtare, me ekipet e moshave, por, në kushtet aktuale, tashmë duhet ta kthejmë vëmendjen gjatë këtij viti, pra 2016-ës, më tepër kah cilësia”, ka shtuar Llazani, për të cilin, rritja cilësore do të mundësohet nga gërshetimi i një sërë faktorësh. Megjithatë, nr. 2 i organizmit që qeveris basketbollin në vend thekson se problem mbetet infrastruktura sportive. “Ne jemi në një fazë që infrastruktura jonë është e mangët dhe e amortizuar”, – thotë ai.
“Pra, infrastruktura aktuale është e amortizuar, aq sa në Shqipëri ende nuk kemi një mjedis që i plotëson standardet ndërkombëtare, – ka shtuar Llazani. Si rrallëherë më parë, Shqipëria do të marrë pjesë me të gjitha ekipet përfaqësuese në të gjitha nivelet e moshave në arenën ndërkombëtare.
AlbanianSport.com do t’jua sjellë nesër të plotë, me video dhe tekst, intervistën me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani.