Gjergj Vyshka 04.01.2016 15:50
Zgjedhja e Anton Qafarenës në anketën e 10 sportistëve më të mirë të vitit 2015 nga volejbolli ka sjellë dhe pakënaqësi. Më tepër se sa me të si individ, pakënaqësia është për drejtuesit aktual të Federatës Shqiptare të Volejbollit, presidentin Pëllumbi dhe sekretarin e përgjithshëm Vokopola. Dhe ky reagim vjen nga trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, sipas të cilit Federata Shqiptare e Volejbollit është kthyer në një institucion “maskilist”.
“Këtu është përzgjedhje me klientelizëm, sepse Anton Qafarena vërtetë është volejbollist i perspektivës, por ama sivjet nuk ka fituar asgjë me Vllazninë, – ka deklaruar ai. – Barleti Volej ka që nga fillimi i vitit në Kupën e Shqipërisë që të gjitha ndeshjet i ka të fituara 3-0. Janë 27 ndeshje në të cilat janë fituar 81 sete dhe janë humbur vetëm tre. Braho, Bici dhe Fagu kanë mbajtur peshën kryesore e për më tepër që janë lojtare që në turneun ndërkombëtar të Stambollit kanë bërë një paraqitje të jashtëzakonshme.”
“Barleti Volej është “kampion” i Shqipërisë, fitues i Kupës së Shqipërisë dhe Federatës, – ka vijuar trajneri i skuadrës universitare. – Ka marrë çdo trofe të mundshëm dhe të mos ketë një lojtare në dhjetë sportistët më të mirë të vitit kjo nuk është normale. Është zgjedhje klienteliste, sepse duhet të dimë që ajo është Federata Shqiptare e Volejbollit dhe jo Federata Shqiptare e Volejbollit të meshkujve. Nuk kam asgjë me Qafarenën, që është një lojtar i talentuar dhe i perspektivës.”
“Por zgjedhja e tij kur nuk ka fituar asgjë nuk është normale”, – ka thënë Gurabardhi, që kështu i bashkohet zërit të atyre që kanë bërë të pakënaqurin për përzgjedhjet në dhjetë sportistët më të mirë të vitit 2015.