Gjergj Vyshka 04.01.2016 11:15
Që nga muaji gusht Federata Shqiptare e Basketbollit me shkresa të vazhdueshme ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për rikonstruksionin dhe kthimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në gjendje normale për kushtet e kërkuara nga ndërkombëtare.
Gjë që në fakt nuk ka ardhur dhe në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit më 21 tetor situata ka qenë “tërhiq e mos e këput” dhe asnjëherë në ndihmë të asaj çfarë basketbolli ka kërkuar. Për dijeni të lexuesit ja dhe përgjigja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me firmën e titullares Lindita Nikolla më 21 tetor për Federatën Shqiptare të Basketbollit pas shkresës së fundit më 18 shtator:
“Në përgjigje të shkresës Nr. 3802/1 prot, datë 18 shtator 2015, për opinionin tonë lidhur me shkresën e Federatës Shqiptare të Basketbollit mbi problematikat ju bëjmë me dije se: Ministria e Arsimit dhe Sportit është e mendimit që mbështetja e Pallateve të Sportit është një domosdoshmëri në infrastrukturën sportive pasi pengon zhvillimin normal dhe brenda parametrave ndërkombëtare të aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare. Duke njohur gjendjen nga afër dhe shqetësimet e Federatës së Basketbollit, por jo vetëm, nga ana jonë janë paraqitur dhe kërkesat në projekt buxhetin 2016-2018, si dhe kërkesa shtesë për rikonstruksionin e Pallateve të Sportit në qytetet kryesore të vendit duke vlerësuar edhe traditën e sporteve në këto qytete. Ministria e Arsimit dhe Sportit po bashkëpunon me pushtetin lokal që forma dhe mundësia e mbështetjes financiare për rikonstruksionin dhe përmirësimin e gjendjes të Pallateve të Sportit të jetë e përbashkët”.
Një përgjigje që në asnjë cep nuk ndihmon nevojën imediate të basketbollit, që është në aktivitet e sipër ndërkombëtar e që do të luaj sërish në kushte “mizerabël”…