Gjergj Vyshka 04.01.2016 10:20
Luiza Gega (Atletikë) – E lindur më 5 nëntor 1988 karrierën e saj të atletikës e ka nisur në Mjeshtërinë Sportive Durrës “Bernardina Qerramixhia”, teksa ishte specializuar për garat e gjysmëthellësisë 800 dhe 1500 metra. Merret tek Tirana nga trajneri Taulant Stërmasi dhe arrin që shumë shpejt të bëhet rekordmene në 800, 1500, 3000 me dhe pa pengesa, 5000 metra dhe 10.000 metra. Është “kampione Ballkani” në salla të mbyllura dhe në pistë të hapur. Po kështu ka dhënë dy vende nderi në Lojërat e Para Evropiane “Baku 2015”, të parin në 1500 metra dhe të dytin në 800 metra. Rekordi më i ri në 1,500 metra është 4’02”63, ndërsa është e kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, atje ku premton finalen dhe medaljen.
Arjon Kajoshi (Boks) – Boksieri i peshës 75 kg, kampion i Shqipërisë me Vllazninë, por dhe fitues në Kupën e Shqipërisë, është cilësuar nga Federata Shqiptare e Boksit sportisti më i mirë i vitit. I lindur më 18 shtator 1996 gjatë vitit 2015 ka zhvilluar dhjetë ndeshje në të cilat gjashtë ndërkombëtare dhe katër kombëtare. Ka fituar 2 me “KO”, ndërsa është shpallur boksieri më luftarak në Bosnjë-Hercegovinë, pa harruar që ka sjellë edhe medalje të tjera ndërkombëtare nga “Gongu i Artë”, apo dhe Turneu i Pavarësisë në Kosovë. Boksin e ka nisur që në moshën 14 vjeç dhe i drejtuar nga Zef Gjoni e Jozef Sermi është me shumë cilësi
Redi Halilaj (Çiklizëm) – Është ndër ata çiklistë të cilët të zbuluar në Itali, të cilët i kanë zbardhur faqen dyrrotakëve të Shqipërisë. I lindur më 31 gusht 1989 ai do ta niste karrierën e tij tek Karavaxhio më 2002-shin, ndërsa sot është pjesë e profesionalizimit tek Amore Vita, atje ku pretendon të bëjë më të mirën e tij në Xhiron e Italisë, apo dhe të Francës. Në Shqipëri më 2009 është në vendin e dytë në kampionatin kombëtar të rrugës. Më pas në vendin e parë më 2010, 2013 dhe 2015, pa harruar që më 2010 është dhe fituesi i etapës së gjashtë të Rrethi Çiklistik. E ka përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Evropiane të Bakusë, si dhe pritet që të jetë në veprimtaritë më të rëndësishme ndërkombëtare.
Sabien Lilaj (Futboll) – I lindur më 10 shkurt 1989 fillimisht do të afirmohej në ekipet e moshave të Shkollës së Mesme të futbollit “Loro Boriçi” e menjëherë më pas do të përfshihej tek Tirana. Me bardheblutë do të luante edhe me të rinjtë, por për tre sezone, 2008-2011 do të ishte pjesë e skuadrës së parë duke dalë dhe kampion e fitues i Kupës së Shqipërisë. Për një sezon do të ishte pjesë e kroatëve të Lokomotivës së Zagrebit. E që nga sezoni 2012-2013 është pjesë e Skënderbeut me të cilën është shpallur tre herë kampion i Shqipërisë. Në karrierën e tij ka luajtur dy ndeshje me Nën-20-vjeçarët, 10 ndeshje me Nën-21-vjeçarët dhe 11 ndeshje me kombëtaren e madhe, e fundit si titullar ndaj Gjeorgjisë në “Qemal Stafa”, 2-2.
Redi Vogli (Basketboll) – I lindur më 29 prill 1987 është që me ekipet e moshave pjesë e skuadrës së Tiranës. I gjatë 1.90 metra mban gjithnjë numrin 5 në fanellë dhe është i aftë, jo vetëm për të luajtur topin, por dhe i saktë në gjuajtjet për tre pikë. Me Tiranën si skuadër profesioniste ka që më 2011 që kontribuon, atje ku ka dalë dhe kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, apo Superkupës. Pjesë integrale e kombëtares së madhe që në kohën kur ka qenë trajner Fatmir Cuka dhe më pas Roland Avrami. Një pikë kyçe tek bardheblutë sot së bashku me Laskun, Vaqarrin, Janin, Lilajn, Sukajn, Gjyrezin etj.
Nikol Merizaj (Not) – E lindur më 7 gusht 1998, notarja që do ta niste karrierën tek “Te Stela” me trajner Sulejman Podën dhe Sadik Memën shumë shpejt do ta shënonte emrin e saj në listën e artë të sportistëve të ujit të notit shqiptar. Sepse do të ishte rekordmene në 50 dhe 100 metra stil i lirë, atje ku në shumë veprimtari kombëtare duelet e saj me Anxhela Kasharin janë të paharruara. Pjesëmarrëse në disa veprimtari ndërkombëtare. E sot për një paraqitje ndryshe ka zgjedhur Greqinë për t’u stërvitur dhe për të rritur nivelet e saj, duke pretenduar që të arrijë të kualifikohet për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”
Briken Calja (Peshëngritje) – I lindur më 19 shkurt 1990 me talentin e tij në peshën 69 kg do të spikaste shpejt në podium. Aq sa do të ishte medalist që në Evropianin e moshës deri më 17 vjeç në Landskrona të Suedisë më 2006-ën. Për të vijuar më pas me medalje në kampionatet evropiane dhe botërore të të rinjve, apo dhe atë të moshës deri në 23 vjeç më 2011 në Bukuresht. Më pas paraqitja e tij do të ishte mbresëlënëse edhe në Evropiane e Botërore të të rinjve, apo në Lojërat Mesdhetare. Ka pasur rezultatin më të mirë të të gjithë sportistëve në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, ndërsa u klasifikua i nënti. Dhe i kthyer pas dy vjetësh në podium në Hjuston do të dilte i teti në peshën 69 kg, duke pretenduar që të jetë i kualifikuar për në “Rio de Zhaneiro 2016”.
Egers Aliu (Taekuondo) – Është përzgjedhur si sportisti më i mirë për këtë vit nga Federata Shqiptare e Taekuondosë (World), ndërsa është duke u përgatitur në Turqi prej gati tre muajsh, sepse pretendon që në garën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” në Stamboll të arrijë normën. Me të rriturit ka konkurruar nga pesha 54 kg deri në 63 kg, kurse me të rinjtë nga pesha 48 deri në 55 kg. Rezultati më i mirë i të gjitha pjesëmarrjeve të tij ndërkombëtare është vendi i tretë në Kampionatin Evropian të të rinjve në Bukuresht. Është sportist i Tiranës me trajnere Arjola Kasën.
Anton Qafarena (Volejboll) – I lindur më 11 qershor 1997, me një lartësi prej 2.06 centimetra sot është ndër ata volejbollistë të talentuar të Vllaznisë që kërkon të shfaqet në majat më të larta të volejbollit evropian. Përfshirja e tij së bashku me Ditmir Rrashketën me Studentin në përballjet ndaj serbëve të Spartak Ljigut e ka ndihmuar që vlerësimet e ndërkombëtarëve të jenë të pakufishme për të. Aq sa sot është ai është një resurs me shumë vlera jo vetëm për Vllazninë, por dhe për të gjithë volejbollin kombëtar.
Jon Vrenozi (Xhudo) – Cilësuar nga Federata Shqiptare e Xhudos si sportisti i perspektivës është zgjedhur prej tyre për të qenë pjesë e anketës së 10 sportistëve më të mirë të vitit 2015. Konkurron në peshën 66 kg dhe është pjesë e Tiranës me trajner Erind Cara. Karrierën e tij si xhudist e ka nisur tek Don Bosko, më pas tek “Top Gym Sport” për të përfunduar tek Tirana atje ku është “kampion” absolut. Gjatë vitit 2015 ka qenë pjesëmarrës në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare, ndërsa rezultati më i mirë është vendi i shtatë në Kampionatin Ballkanik.