AlbanianSport.com 21.12.2015 16:10
ASNN – Në Zvicër janë të sigurt që Shkëlzen Gashi do të largohet nga Bazeli në merkaton e janarit. E përditshmja “Blick” i ka kushtuar një shkrim të gjatë situatës që po kalon sulmuesi i kombëtares shqiptare, duke zbuluar se ai i ka kërkuar klubit ta shesë. Ky vendim vjen pas problemeve të Gashit me trajnerin Urs Fisher, i cili nuk e ka në planet e tij futbollistin.
Shkëlzen Gashi u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit zviceran për dy sezone radhazi, ndërsa menjëherë pas uljes në stol të trajnerit të ri, ai u kthye në fillim në një lojtar rezervë, ndërsa tani nuk grumbullohet fare për ndeshjet zyrtare. “Gashi nuk është aspak i lumtur me momentin që po kalon dhe kjo është e dukshme”, – , shkruan “Blick” për kosovarin.
“Ai ka studiuar disa oferta për t’u larguar nga Bazeli që në merkaton e dimrit”, – vijon më tej media në fjalë, duke nënvizuar se sulmuesi mund të ketë si destinacion të ardhshëm të karrierës së tij kampionatin gjerman ose italian. Sidoqoftë, e rëndësishme për 27-vjeçarin është që të luajë me vazhdimësi, aq më tepër në prag të Euro 2016, ku ai kërkon të jetë pjesë e kombëtares kuqezi.
Pikërisht për këtë çështje gazeta zvicerane ka pyetur trajnerin Xhovani De Biazi. Trajneri e ka cilësuar të çuditshëm faktin se golashënuesi më i mirë për dy sezone, tashmë nuk përfshihet në skuadër, ndërsa është shprehur se vendimi për të ndryshuar skuadër i takon vetëm Shkëlzen Gashit.