AlbanianSport.com 20.12.2015 10:15
ASNN – Karlo Ançeloti do të drejtojë Bajernin e Mynihut duke nisur nga qershori i 2016-ës. Klubi gjerman zyrtarizoi largimin e trajnerit aktual Pep Guardiola. Gjithçka u bë e ditur nga presidenti i bavarezëve, Karl-Hainc Rumenige. “I jemi mirënjohës Guardiola për atë që dha për ekipin dhe jemi të lumtur që do të punojmë me një tjetër trajner të sukseshëm”, – tha Rumenige.
Kontrata e Karlo Ançelotit do të jetë deri në vitin 2019. Për italianin do të jetë një përvojë të re në të vetmin kampionat të rëndësishëm ku nuk ka drejtuar. Guardiola do të largohet në qershor pas 3 sezoneve me Bajernin dhe 5 trofeve të fituar deri më tani duke qenë në garë edhe për të tjerë. E ardhmja e tij pritet të jetë në Premier Ligën Angleze.
Ekipet më të mundshme si destinacion të tij janë Mançester Siti, Mançester Junajtid, Çellsi dhe Arsenali. Kështu, Pep Guardiola do të largohet nga Bajerni në fund të këtij sezoni, dhe në vend të tij do të vijë Karlo Ançeloti. Lajmin që qarkullonte prej ditësh në media, e vërtetoi plotësisht shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Hajnc Rumenige, në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”.
Rumenige pohoi se në mbyllje të këtij edicioni do të ndodhë ndryshimi në stol, ndërsa nuk harroi të falënderonte trajnerin katalan për gjithçka ka bërë, dhe do të bëjë për Bajernin deri në mbyllje të kontratës së tij 3-vjeçare. Guardiola, disa herë “kampion” i Spanjës dhe i Evropës me Barcelonën, do të synojë fort ta fitojë më në fund Ligën e Kampioneve edhe në Mynih, për t’ia lënë vendin më pas italianit.
Ky i fundit do të ketë gjithashtu një kontratë 3-vjeçare. Mbërritja e Guardiolës në “Allianz Arena” u lajmërua me pompozitet të madh nga ish-presidenti i klubit, Uli Hënes, ndonëse gjithkush e kuptonte se do të ishte tepër e vështirë të përsëritej sezoni perfekt i ish-trajnerit Jup Hajnkes, që i fitoi të trija, Ligën e Kampionëve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.
Katalani fitoi dy tituj të Bundesligës, dhe një Kupë të Gjermanisë, po ashtu Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve, duke e bërë Bajernin një nga skuadrat me futbollin më spektakolar në botë. Sidoqoftë, opinion i përhapur gjerësisht mbetet se stili i tij dhe ai i bavarezëve nuk është se përputhen plotësisht. Pep Guardiola e ka edhe një shans, pikërisht në këtë edicion.