Gjergj Vyshka 17.12.2015 21:15
Është luajtur java e 10-të dhe e fundit në “Euro Cup” në basketboll për meshkuj dhe Gentian Cici, ndërkombëtari i koshit shqiptar, ka gjykuar ndeshjen e tij të 9-të në këtë veprimtari. Ai ka qenë gjyqtar i tretë në ndeshjen e grupit B mes Grisin Bon Rexhio Emiljas dhe spanjollëve të Herbalife Gran Kanaria Las Palmasit.
Ndeshja, e cila është zhvilluar përpara rreth 3,099 shikuesve, është fituar nga spanjollët 73-78 (22-16, 13-14, 21-26, 17-22). Në këtë ndeshje gjyqtar i parë ka qenë serbi Milivoje Jovçiç dhe i dytë estonezi Aare Halliko. Pra 9 ndeshje në 10 ture tregojnë vlerësimin e ndërkombëtarëve për Cicin.
Ky i fundit, në dy ndeshje në Lubjanë, më pas në Las Palmas dhe Zaragoza të Spanjës, në Bukuresht të Rumanisë, Trabzon të Turqisë, Podgoricë të Malit të Zi dhe në Tiszagileti të Hungarisë, ka shfaqur formën e tij më të mirë. Ndaj edhe është e mbetet gjyqtar më shumë cilësor për basketbollin shqiptar.