Gjergj Vyshka 16.12.2015 19:50
Vllaznia e volejbollit të femrave mund të cilësohet surpriza e fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë, e cila tetë skuadrat i ka ndarë në dy grupe. Njëri i luan ndeshjet në Sallën sportive “Fahrie Hoti” dhe tjetri në “Ramazan Njala” të Durrësit, atje ku gjërat duket se janë më të “qëruara” se në grupin e Tiranës.
Sepse askush nuk e ka parashikuar dhe nuk e ka menduar që Partizanit do t’i haste “sharra në gozhdë” ndaj Vllaznisë, edhe pse në fazën e parë e ka mundur në ndeshjen e parë të kampionatit, 3-0.
Madje edhe në renditje, të kuqet e Roland Tares, i cili dje ka munguar në ndeshje sepse ka qenë i ndëshkuar në takimin e fundit ndaj Teutës me karton të verdhë dhe të kuq nga gjyqtarja Rudina Omari e për rrjedhojë ka qenë i pezulluar, ndodhen më lart se sa shkodranet.
Por Salla Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet ka rezultuar jo me shans për të kuqet e me shumë fat për Vllazninë, e cila dje ka hedhur një hap të rëndësishëm për të qenë në mes katërve më të mira të Kupës së Shqipërisë. Një mundësi që për volejbollin e femrave të kuqebluve vjen pas mungesës prej disa vitesh. E në këtë rast duhet folur me shumë respekt për grupin e vajzave të Vllaznisë dhe trajneren e saj, Sadije Goga.
Partizani – Vllaznia 1-3
(25-17, 15-25, 20-25, 22-25)
Partizani: Reka, Shehu, Xhaferaj, Meçorapoj, Shaba, Gongo, Shera (L) / Kaçani, Balla, Goxhaj. Trajner: I. Thanasi
Vllaznia: L. Picaku, Zhivanaj, Sh.Molla, Vistaraj, Peteza, Kiri (L), Koçeku / Rranza. Trajner: S. Goga
Gjyqtarë: E. Preka, E. Zenullari (Tiranë)
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Grupi B
(“Fahrie Hoti” – Tiranë)
Të martën:
Tirana – Flamurtari 3-0
Partizani – Vllaznia 1-3
Të mërkurën:
Tirana – Partizani ora 16:00
Flamurtari – Vllaznia ora 18:00
Të enjten:
Partizani – Flamurtari ora 16:00
Vllaznia – Tirana ora 18:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Tirana 1 1 0 3-0 3
- Vllaznia 1 1 0 3-1 3
- Partizani 1 0 1 1-3 0
- Flamurtari 1 0 1 0-3 0