Gjergj Vyshka 18.10.2014 09:35
12 medalistët e taekuondosë në versionin World, 2 të argjendta dhe 10 të bronzta, janë pritur në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Pikërisht delegacioni shqiptar, që ka marrë pjesë fundjavën e kaluar në Kampionatin Ballkanik të moshave, i cili u zhvillua në Slloveni, i drejtuar nga zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Taekuondosë, Elvis Vulka, është pritur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
E jo vetëm nga ai, pasi në takim ka qenë dhe i dërguari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Uvil Zajmi. Tek sportistët medalistë ka qenë edhe Ada Demneri, e cila është përfituese e bursës olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Federata Shqiptare e Taekuondosë i ka vlerësuar trajnerët e ekipit kombëtar, si dhe mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe presidentit Bezhani për punën që bëjnë për sportet në veçanti.