AlbanianSport.com 18.10.2014 09:05
ASNN – Ndeshja Besëlidhja-Veleçiku është në prag, ndërsa të gjithë sportdashësit vendës, apo dhe specialistët e futbollit lezhjan janë duke pritur vërshëllimën e gjyqtarit për fillimin e takimit. Madje me emocione po pritet dhe përfundimi i kësaj sfide, ndërsa Besëlidhja është e vendosur për të fituar ndeshjen dhe për të qenë e vetme në krye të grupit të Veriut.
Por dhe koplikasit nuk do të qëndrojnë duarkryq, në një kohë që trajneri Bardhi dhe ndihmësi i tij Lani do të kenë përcaktuar dhe formacionin. Tashmë për Gazeta e Sportit për këtë ndeshje ka folur specialisti i futbollit lezhjan, Nikolin Lorenci, i cili ka thënë: “Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur, korrekte dhe një FAIR-PLAY nga të dy palët, sepse është një ndeshje e rëndësishme për ecurinë e këtyre ekipeve në këtë sezon”.
“Të dyja ekipet kanë një qëllim, që është fitorja, sepse secila prej ekipeve kërkon shkëputjen në renditje, – ka vijuar ai. – Sepse siç dihet gara sa vjen dhe vështirësohet. Unë kam luajtur dhe kontribuar për Besëlidhjen, e dua Besëlidhjen dhe futbollin e saj. Është skuadra ime e zemrës, sepse me atë kam marrë emër dhe nuk dua ta harroj atë. Kam luajtur për afro 13 vjet që nga 1966-1979.”
“Uroj që ajo ndeshje të jetë e bukur dhe të fitojë Besëlidhja. Unë besoj se do t’ia arrijë qëllimit, por pa nënvlerësuar kundërshtarin. Të mos harrojmë se Veleçiku vjen me pikë të plota. Megjithatë besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”, – ka përfunduar specialisti i futbollit lezhjan, Nikolin Lorenci.