Gjergj Vyshka 13.12.2015 15:20
ASNN – Shkodranet e Rajmond Rashjes jo vetëm që kanë vazhduar lojën e mirë të nisur të mërkurën në Kupën e Shqipërisë, por vetëm me pesë basketbolliste ia kanë dalë të jenë fituese në kryeqytet. Një skuadër vërtetë për t’u marrë shembull. Vllaznia në basketboll për femra mund të konsiderohet me plot gojën skuadra surprizë e kampionatit.
Ka vazhduar dje në “Fahrie Hoti” atë që kishte nisur të mërkurën në përballjen me Tiranën në Kupën e Shqipërisë, atje ku është mundur vetëm nga trepikëshat e Eliverta Bujarit dhe Rezarta Hoxhajt. Por dje ka qenë një tjetër gjë. Shkodranet me vetëm pesë basketbolliste, me një lojë saktë zonale, por të sakta edhe në gjuajtje i kanë dhënë një leksion Tiranës se si luhet basketbolli në grup.
Në një ditë të errët për Gjonin, Tirana e ka të vështirë të gjejë pikën mbështetëse në qendrën e zonës kundërshtare, ndonëse Eliverta Bujari, Gera Bujari dhe Hoxhaj mundohen shumë. Vllaznia ka qenë racionale edhe në trepikësha, ka realizuar vetëm dy me anë të Bashës, por që i kanë mjaftuar të marrë fitoren. Ka fituar pjesën e parë 20-27.
Mandej edhe të dytën 17-18 dhe në dhomat e zhveshjes shkon me epërsinë 37-45. Borova detyrohet të fusë në lojës Adelajde Aliajn, e cila edhe pse e dëmtuar, ka shënuar plot 15 pikë, por që nuk kanë mjaftuar. Tirana ka fituar pjesën e tretë 20-18 dhe ka ngushtuar në 57-63. Madje Tirana ka kaluar në dy momente në epërsi, ndërsa disa minuta para përfundimit kryesonte 70-69.
Një trepikësh i Bashës ka çuar Vllazninë në epërsi 70-72. Tirana barazon, por shkodranet me sulmin e fundit kanë vulosur suksesin e tyre më anë të Mustafës dhe në përfundim 72-74. Një humbje që djeg për Tiranën, sepse bardheblutë pretendojnë të kapin kreun. Por Vllaznia është një shembull që duhet ndjekur për mënyrën se si e luan basketbollin në grup.
Tirana – Vllaznia 72-74
(20-27, 17-18, 20-18, 15-11)
Tirana: E.Bujari (25), Hoxhaj (12), G.Bujari (14), Gjoni (4), E. Aliaj (2) / Malësia, Duqi, A. Aliaj (15), Konini. Trajner: E. Borova
Vllaznia: Mustafa (10), Basha (21), Berranija (28), I. Dashja (13), Çoçja (2). Trajner: R. Rashja
Gjyqtarë: G. Cici, E. Allaraj (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 10-të
(11-12 dhjetor 2015)
Të premten:
Studenti – Flamurtari 52-65
Të shtunën:
Tirana – Vllaznia 72-74
Goga Basket – Skënderbeu 83-94
Elbasani – Kamza Basket 69-71
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 9 9 0 687-519 18
- Goga Basket 9 6 3 655-582 15
- Tirana 9 6 3 646-593 15
- Vllaznia 9 5 4 606-580 14
- Skënderbeu 9 5 4 657-636 14
- Studenti 9 3 6 503-623 12
- Kamza Basket 9 2 7 444-519 11
- Elbasani 9 0 9 472-617 9