AlbanianSport.com 13.12.2015 10:50
ASNN – Sulmuesi italian, Mario Baloteli, ka thënë se e pret me padurim Euro 2016, duke e nxitur kështu trajnerin Antonio Konte të pëgjigjet me sarkazëm, duke e pyetur futbollistin problematik nëse do të luajë apo do ta ndjekë këtë eveniment nëpërmjet televizorit.
Baloteli reagoi me entuziazëm ndaj shortit të Italisë me Belgjikën, Irlandën dhe Suedinë, duke postuar emrat e tyre në “I”nstagram bashkë me fjalët “Mezi pres”. Ndërkaq Konte i është përgjigjur: “Çfarë po pret me padurim, të luash në Kampionatin Evropian apo ta shohësh atë në televizor?”.
Baloteli, i dalë jashtë forme edhe si pasojë e dëmtimeve, është ftuar vetëm njëherë për Italinë nga Konte. “Varet nga ai nëse do të përfshihet. E njëjta vlen edhe për të tjerët. Por ai duhet të përmirësohet jashtëzakonisht shumë”, – ka thënë Konte për gazetarët italianë.
“Nuk kam ende ndonjë listë përfundimtare, por do t’i shikoj të gjithë me kujdes. Sidoqoftë, e di edhe kush na solli deri këtu dhe i njoh lojtarët”, – ka përfunduar trajneri i Italisë, Antonio Konte.