AlbanianSport.com 12.12.2015 20:45
ASNN – Në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Paris, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Xhani Infantino dhe ish-futbollistëve Rud Gulit dhe Bixente Lizarazu, është hedhur shorti i finaleve të Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Midis 24 skuadrave pjesëmarrëse, për herë të parë bën pjesë edhe Shqipëria. Kuqezinjtë dhe gjithë shqiptarët kanë mësuar tashmë se cilët do të jenë kundërshtarët e tyre në “Francë 2016”. Franca, Rumania dhe Zvicra janë skuadrat e grupit A, me të cilat do të përballet Shqipëria në fazën e parë të finaleve.
Sipas kalendarit të përcaktuar më parë, kuqezinjtë do të ndeshen fillimisht me Zvicrën, më pas me Francën dhe ndeshja e tretë do të jetë me Rumaninë. Nga katër skuadrat e çdo grupi, dy të parat në renditjen përfundimtare kualifikohen direkt për më tej, ndërsa këtyre do t’u bashkohen edhe të tretat e renditura më mirë.
Faza finale e Evropianit “Francë 2016” do të nisin në 10 qershor dhe përfundojnë në 10 korrik 2016.