AlbanianSport.com 12.12.2015 13:25
ASNN – Java e 16-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit nis sot me ndeshjet Vllaznia-Tërbuni, Laçi-Kukësi dhe Partizani-Bylis. Edhe pse me probleme të shumta, parash dhe drejtimi, skuadra shkodrane kërkon tri pikët e çmuara ndaj Tërbunit.
Ndërkohë që një sfidë tepër e fortë pritet të zhvillohet në stadiumin e Laçit, ku skuadra vendase do të presë Kukësin. Laçi kërkon tri pikët për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë të mbijetesës. Ndërsa Kukësi, me trajnerin Klodian Duro kërkon të jetë midis më të mirëve për të siguruar një vend në Kupat e Evropës për sezonin e ardhshëm.
Kjo ndeshje do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ndeshja e tretë e ditës së sotme është Partizani-Bylis, që luhet në orën 17:00, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Duke parë dhe kalendarin, duket se të kuqtë e Starovës do ta mbyllin 2015-ën në vendin e parë, duke u shpallur mbase “kampionë të dimrit”.