Gjergj Vyshka 11.12.2015 13:20
Stavri Bello, vëzhguesi i vetëm ndërkombëtar i basketbollit shqiptar, por në të njëjtën kohë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, dje ka qenë në Stamboll. Që më 25 nëntor, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Basketbollit, Kamil Novak, Bello ishte caktuar në ndeshjen e grupit D në “Euro Cup” për femra, atë mes Istanbul Universiti dhe ruseve të Energia Ivanono.
Turket, në prani të 300 shikuesve, kanë fituar 72-59 (12-17, 22-16, 25-11, 13-15). E Bello ka qenë në rolin e komisarit, apo ndryshe të vëzhguesit, për gjyqtarët Vojcieh Liska (Poloni), Milan Adamoviç (Bosnje-Hercegovinë) dhe Irakli Berishvili (Gjeorgji). Kjo në fakt ishte ndeshja e katërt e këtij sezoni në arenën ndërkombëtare të paktën në këtë pjesë vjeshtë-dimër për Bellon.
Kjo, sepse ka pasur dy takime në Ligën Ballkanike dhe një në “FIBA Europe Cup”, teksa përpara dy javësh ishte në Ankara. Përfundimisht në Euro Kup për femra, që është niveli i dytë pas Ligës së Kampioneve, Istabul Universiti-Energia Ivanovo ka qenë nën vëzhgimin e ndërkombëtarit shqiptar Bello.