Gjergj Vyshka 10.12.2015 16:25
Amarilda Prenga ka treguar se është një nga lojtaret më të mira të kampionatit kosovar. Ky është triumfi i parë për Prengën në kampionatin kosovar, ku luan me Dritën e Gjilani
Volejbollistja shqiptare Amarilda Prenga, që këtë sezon luan për herë të parë në kampionatin kosovar, ka triumfuar pak ditë më parë në turneun e Kupës së Federatës së Kosovës në volejboll për femra, veprimtari kjo e zhvilluar në Prishtinë.
Ky është triumfi i parë i një prej volejbollisteve më të mira shqiptare në vitet e fundit në kampionatin kosovar, aty ku luan prej disa muajsh në radhët e Dritës së Gjilanit. Në këtë ekip luan prej disa sezonesh edhe motra e saj më e vogël, Adelajda Prenga, duke bërë që triumfi të jetë “familjar”.
Volejbollistja shqiptare Amarilda Prenga ka treguar se pavarësisht moshës mbetet një nga lojtaret më të mira të kampionatit kosovar, duke u dalluar edhe në Kupën e Federatës për lojën e saj. Në finalen e këtij turneu, Drita e Gjilanit mundi 3-1 Skënderajn.
Ndërkohë, motra tjetër e dinastisë “Prenga”, Arjola Prenga, vazhdon të shkëlqejë në volejbollin norvegjez, ku pas 3 sezonesh të suksesshme me Stod Volejin, vazhdon të spikatë me skuadrën e saj të re, Randabergun, me të cilën kryeson renditjen e kampionatit si dhe është në finale të Kupës së këtij vendi.