AlbanianSport.com 10.12.2015 13:10
ASNN – Vetëm disa ditë pas ndeshjes së kampionatit, Flamurtari në basketboll për femra e ka mundur përsëri Goga Basket. Këtë herë në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë në ndeshjen e luajtur në Vlorë, ndërsa Flamurtari ka luajtur më mirë se sa kundërshtari. Dhe për rrjedhojë nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim fitoren.
Takimi nis i shpejtë për të dyja skuadrat, ku nuk mungojnë edhe gjuajtjet nga distance për tre pikë. Ritmi është i kënaqshëm nga të dyja skuadrat në parket. Flamurtari tregohet më i qetë dhe mbyll 10 minutat e para në shifrat 24-20. Domini i skuadrës vlonjate vijon edhe në pjesën e dytë të takimit.
Luhet mirë në sulm dhe, për rrjedhojë, epërsia e krijuar është thelluar në 42-32 në fund të gjysmës së parë. Pas pushimit loja hyn në një ritëm më të ulët, ndërsa ka mjaft gabime në sulm nga të dyja skuadrat, teksa loja është e balancuar. Këtë e tregojnë edhe pikët e pakta nga 10 për secilën skuadër në pjesën e tretë.
Në pjesën e fundit, Flamurtari mundohet të ruajë epërsinë e krijuar dhe luan qetë përballë Goga Basket, duke administruar mjaft mirë lojën dhe duke mbyllur gjithçka me fitoren 68-57. Flamurtari kështu mbetet i pamposhtur në të gjitha drejtimet në sezonin 2015-2016.
Flamurtari – Goga Basket 68-57
(24-20, 18-12, 10-10, 16-15)
Flamurtari: Myrto, Zykaj, Kostallari, Rrapaj, Bleta / K. Hasanaj, Lloi, Plasa, Palko, D. Hasanaj, Kasaj, Hysaj. Trajner: V. Toska
Goga Basket: Përmeti, Xhanaj, Baraj, Memushi, Qypi / Ustalli, Dishnica, Mehmeti, Kumi. Trajner: A. Greva
Gjyqtarë: O. Kasmi, E. Allaraj (Tiranë)
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Çerekfinalet:
Të martën:
Studenti – Kamza Basket 55-69
Të mërkurën:
Skënderbeu – Elbasani 68-42
Flamurtari – Goga Basket 68-57
Tirana – Vllaznia 81-67