AlbanianSport.com 10.12.2015 09:55
ASNN – Skuadra “kampione” e Shqipërisë, Skënderbeu, luan sot ndeshjen e fundit në Ligën e Evropës. Përballë korçarëve në Elbasan Arena do të jetë Lokomotiva e Moskës. Rusët kërkojnë të paktën barazimi për të shpresuar në kualifikimin, ndërsa Skënderbeu është i eliminuar. Kjo ndeshje do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 21:05.
Skënderbeu luan kështu ndeshjen e fundit në Ligën e Evropës. Sot në orën 21:05 në “Elbasan Arena” kampionët e Shqipërisë do të përballen me Lokomotivën e Moskës, ndeshje kjo që do të transmetohet nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Mirel Josa është eliminuar tashmë, pasi nuk ka arritur të marrë më shume se 3 pikë në 5 ndeshjet e luajtura në Grupin H.
Edhe matematikisht, ajo do të mbetet në vendin e katërt edhe sikur të arrijë të fitojë ndaj Lokomotivës. Nga ana tjetër, rusëve, u duhet të paktën një barazim për të shpresuar në kualifikimin, pasi humbja mund të jetë katastrofike për ta. Në renditjen e këtij grupi, Beshiktashi është në vendin e parë me 9 pikë, Lokomotiva e dyta me 8 pikë dhe Sportingu i Lisbonës është në vendin e tretë, me 7 pikë.
Gjithçka është e hapur në këtë grup pasi asnjëra nga tre skuadrat e lartpërmendura nuk është kualifikuar për në fazën tjetër. Ndeshja tjetër e këtij grupi luhet në Lisbonë po në të njëjtën orë ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Sportingu vendas dhe turqit e Beshiktashit.