AlbanianSport.com 09.12.2015 15:15
ASNN – Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, ka premtuar t’i rikthejë besimin sportit botëror, i cili gjatë muajve të fundit të këtij viti, është goditur rëndë nga akuzat për korrupsion dhe nga dopingu. Skandali i ryshfeteve në FIFA dhe në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës apo edhe përjashtimi i atletikës ruse për shkak të dopingut, janë vetëm disa prej kulmeve që ka përjetuar sporti botëror gjatë 2015-ës. “Është një situatë e nderë, por ne do t’ia rikthejmë besimin sportit dhe do t’i mbrojmë dhe promovojmë atletët e ndershëm anembanë botës”.
Ky është premtimi që kreu i lëvizjes olimpike botërore, Tomas Bah, ka bërë në një editorial të tij, të botuar pak para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që po mbahet në Lozanë të Zvicrës. Arrestimi i 41 zyrtarëve të lartë të FIFA-s në një skandal që sa vjen e thellohet dhe pezullimi i atletikës ruse nga të gjitha veprimtaritë pas vërtetimit të akuzave për nxitje të dopingut nga ana e shtetit, janë vetëm disa prej kulmeve që ka përjetuar sporti botëror gjatë 2015-ës dhe Bahu e pranon se gjendja është tronditëse. Kreu i IOC-së theksoi se si ish-medalist olimpik, ai ishte pro pezullimit përjetë të sportistëve që përdorin doping, por ky vendim do të hidhej poshtë nga gjykatat civile.
“Ajo që më trishton më tepër si ish-sportist është se e gjithë kjo ka dëmtuar rëndë besimin tek sportistët e ndershëm, shkruan zyrtar gjerman i lëvizjes olimpike botërore, duke vijuar: “Tek ata sportistë që shtyjnë kufijtë e mundësive të tyre njerëzore çdo ditë drej një ëndrre, por që shohin gishtin e akuzës së drejtuar drejt tyre padrejtësisht. Kjo është pasoja dytësore më e keqe e dopingut dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’i mbrojmë milionat e sportistëve të ndershëm anembanë botës”, – ka përfunduar presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah.