Gjergj Vyshka 08.12.2015 09:45
Pas asaj që ka ndodhur në ndeshjen e së dielës me Eagles dhe Elbasanit luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” Tiranë, atje ku Ambo ka marrë teknik përjashtimi për shkak të ofendimit ndaj gjyqtarit Erlambi Tiko, ka reaguar shoqata Tirana Eagles Basket.
Në njoftimin e saj në rrjetin social Facebook” kjo shoqatë deklaron: “Shoqata Tirana Eagles Basket dhe skuadra Eagles distancohet nga sjellja e pahijshme e njërit prej lojtarëve tanë ndaj njërit prej gjyqtarëve të ndeshjes Eagles-Elbasani. Dhe i kërkon ndjesë gjyqtarëve për episodin e ndodhur të dielën.”
“Shoqata për sjelljen jo të denjë të një sportisti të skuadrës Eagles do të marrë masat e veta në bazë të statutit dhe kodit të etikës miratuar dhe nga strukturat drejtuese të shoqatës dhe i pranuar e firmosur nga të gjithë lojtarët e Eagles”, – vijon më tej njoftimi i kësaj skuadre.
“Gjithashtu Tirana Eagles Basket deklaron se ky rast është sporadik dhe s’ka lidhje me frymën e Fair-Play të skuadrës të treguar në të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Tirana Eagles Basket siguron gjyqtarët se veprime të tilla të pahijshme nuk do të ndodhin kurrë më nga skuadra jonë”, – përfundon njoftimi i Tirana Eagles.