Nga Tritan Kokona 07.12.2015 20:25
“Cili prej nesh, që ka njohur dhe ka jetuar me Mirin, do ta besonte një gjë të tillë, teksa ai ishte gjithmonë më i qeshuri, më i dashuri, më këmbëngulësi, më palodhuri”. Jemi mbledhur sot (dje) në një ditë të tillë të trishtuar për t’i dhëne lamtumirën e fundit, mikut tonë dhe kampionit të madh Mirjan Hakani, që u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë. Cili prej nesh, që ka njohur dhe ka jetuar me Mirin, do ta besonte një gjë të tillë, teksa ai ishte gjithmonë më i qeshuri, më i dashuri, më këmbëngulësi, më palodhuri. Por jeta me të papriturat e saj, ashtu siç i dha suksesin, e bombardoi vitet e fundit edhe me një seri sëmundjesh.
Derisa më në fund ai u dorëzua sot (dje) ndaj gdhirë duke lënë pas trishtim dhe boshllëk. Mirjan Hakani, lindi në prill të vitit 1961, në një familje të nderuar. Babai i tij, Hyseni ishte ndër regjisorët më të njohur të kinematografisë shqiptare dhe mëkoi tek Miri këmbënguljen dhe kulturën, ndërsa nëna Merushja, respektin dhe dashurinë ndaj miqve dhe shokëve. Gjatë gjithë jetës së tij, Miri ju përkushtua tre gjërave që i quante të rëndësishme: Familjes, sportit dhe miqve të panumërt, të cilët i donte dhe i respektonte si rrallëkush.
Largimi i Mirjan Hakanit nga jeta do të lërë një boshllëk të madh për familjarët, bashkëshorten Linën, që i qëndroi pranë dhe u kujdes për të gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë dhe të rëndë të sëmundjes si dhe për fëmijët. Kjo ishte një humbje e madhe për të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Për shokët dhe miqtë e pafund që janë të trishtuar për të. Ai do të mbetet gjithmonë, në mendjen e të gjithëve si Mirjani i qeshur e i papërsëritshëm. Si një prind i dashur, bashkëshort shembullor, mik i shtrenjtë dhe shok besnik.
Lamtumirë kampioni i papërsëritshëm! Lamtumirë njeriu i mirë Mirjan Hakani!”