Gjergj Vyshka 05.12.2015 10:05
I pari në baterinë e tij në 50 metra stil i lirë me kohën 22”05, ndërsa e ka thyer rekordin kombëtar me 44 të qindtat. Sot gara e radhës më 100 metra stil i lirë, teksa pritet një tjetër rekord. Sidni Hoxha, notari tashmë i kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ia ka zbardhur përsëri faqen notit. Këtë herë në Evropianin e pishinave të mbyllura, që është duke u zhvilluar në Netanja të Izraelit.
Ai ka marrë pjesë dje në 50 metra stil i lirë, teksa në baterinë e parë ka zënë vendin e parë me kohën 22”05. Ai ka lënë nga pas dy rumunë si Trandafir me kohën 22”07 dhe Macovei me kohën 22”29. Pas tyre ukrainasi Kloptsov me kohën 22”39, armeni Mamikonian me kohën 23”33 dhe azerbajxhanasi Fazekas me kohën 24”02. Sidni Hoxha ka arritur të thyejë rekordin kombëtar të 50 metrave stil i lirë në pishina të mbyllura me kohën 22”05, ndërsa e ka përmirësuar kohën me 44 të qindtat, që më parë ka qenë 22”49.
Ai ka qenë larg kohës për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale, ndërsa notari i shtatë në 50 metra stil i lirë ka hyrë me kohën 21”67. Megjithatë një formë e mirë e tij, e cila pritet të jetë edhe në 100 metra stil i lirë sot. Duke parë dy vendet e fundit të Merizajt në 100 metra stil i lirë dhe 100 metra e përzier, atëherë kjo paraqitje e Hoxhës me vendin e parë në 50 metra stil i lirë dhe rekord kombëtar është më shumë se arritje për notin shqiptar në këtë Evropian, që mbyllet të dielën.