AlbanianSport.com 05.12.2015 09:00
ASNN – Vazhdon të thellohet edhe më tej kriza e organizmit që qeveris futbollin botëror, FIFA, dhe tashmë është bërë thuajse e përditshme të mësohen emra të rinj zyrtarësh të cilët identifikohen, akuzohen apo arrestohen.
Më i fundit është kreu i Federatës Ekuadoriane të Futbollit, Luis Çiriboga, i cili është nën akuzë për korrupsion nga drejtësia amerikane, por që nuk do të ekstradohet nga vendi i tij.
Ai ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen nga detyra e tij, por do të bashkëpunojë me autoritetet nëpërmjet zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit.
Ditët e fundit, janë 16 zyrtarët e lartë të futbollit të kontinentit amerikan, nga veriu në jug, që janë vënë nën akuzë, ku spikatin padyshim dy presidentët e konfederatave kontinentale, asaj amerikanojugore (CONMEBOL) si dhe asaj të Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF).
Ndërkohë, ish-presidenti i FIFA-s, Xhek Uornër, vazhdon të luftojë kundër ekstradimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku akuzohet për korrupsion, përfitim të padrejtë të fondeve dhe favorizime të pandershme të partnerëve të biznesit.