AlbanianSport.com 04.12.2015 16:10
ASNN – Tomori, i cili po ecën në traditën e krijuar të këtij sporti në vite, ka dalë “kampion”, sepse ka pasur edhe disa vende të dytë. Dhe kjo është meritë e një trajneri si Ibrahim Keli, që edhe pse 65 vjeç dhe në prag të pensionit, nuk ka hequr dorë nga sporti i mundjes. Pikërisht për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, Ibrahim Keli do të deklaronte: “Jam shumë i lumtur, por dhe shumë krenar që pas gjashtë vjetësh ne kemi kthyer titullin “kampion” në Berat”.
“Nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse kemi pasur një rivalitet të madh me Besëlidhjen, – ka vijuar ai. – Por është meritë e jashtëzakonshme e të gjithë sportistëve që Tomori ia ka arritur të jetë “kampion” dhe e meritonte. Unë jam shumë i emocionuar sepse kështu kemi kurorëzuar një vit punë intensive, si dhe kemi nderuar të gjithë Beratin. Është një qytet me plot tradita e talente ne kemi arritur që pas gjysmë shekulli ta kthejmë Tomorin në elitë.”
“Është meritë e dy vëllezërve Therepeli, por dhe e Thanasit, si dhe e të gjithë sportistëve që dhanë pikët e çmuara që ne dolëm “kampion”, – ka theksuar trajneri i mundjes beratase, Ibrahim Keli. -Jemi të kënaqur që na ka pritur dhe na ka nderuar kryebashkiaku Sina. Mosha ime edhe pse është në prag të pensionit, përsëri me mundjen arrij ta mposht pleqërinë, sepse me këtë sport do të merrem derisa të kem frymën gjallë.”