AlbanianSport.com 04.12.2015 10:40
ASNN – Pas një mungese 6-vjeçare, Tomori ka kthyer titullin “kampion” në mundjen klasike e për rrjedhojë sportistët e tapetit janë pritur në mënyrë madhështore në qytetin muze. Tomori ia ka dalë të jetë kampion falë punës së Mjeshtrit të Sportit, Ibrahim Keli, i cili është në rolin e trajnerit, si dhe të një stafi profesionistësh, që kanë sjellë në tapet mundësa të talentuar.
Tre prej tyre si Edison dhe Dritan Therepeli, apo dhe Aurel Thanasi janë shpallur “kampionë të Shqipërisë në peshat e tyre. Kjo skuadër jo vetëm që është pritur në mënyrë madhështore nga tifozët, por një pritje e veçantë i është rezervuar edhe nga kryebashkiaku Petrit Sinaj. E skuadra e mundjes për këtë titull “kampion” është nderuar me certifikatë mirënjohjeje.
Tomori, i cili po ecën në traditën e krijuar të këtij sporti në vite, është shpallur “kampion”, sepse ka pasur edhe disa vende të dytë. Dhe kjo është meritë e një trajneri si Ibrahim Keli, që edhe pse 65 vjeç dhe në prag të pensionit, nuk ka hequr dorë nga sporti i mundjes.