Gjergj Vyshka 04.12.2015 08:50
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi veprimtarinë sportive “Gara për Jetën”, ku persona me karroca me rrota zhvilluan një ndeshje basketbolli. Pjesë e ekipeve të basketbollit u bënë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, si dhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Donald Lu, të cilët po ashtu të ulur në karroca me rrota kanë luajtur një pjesë të lojës.
Qëllimi i kësaj veprimtarie ishte pikërisht sensibilizimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve me të drejtat e “PAK”, duke përcjellë njëkohësisht mesazhin se, pavarësisht aftësive që zotëron, çdokush duhet të ndihet i barabartë në shoqëri. Gjatë kësaj veprimtarie, ministri Klosi dhe ambasadori Lu zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të PAK, ku u njohën më nga afër lidhur me problematikën që shoqëron këtë shtresë të shoqërisë.
Ministri Klosi vlerësoi se situata me të cilën përballen sot personat me aftësi të kufizuara duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe kjo kërkon disa ndërhyrje rrënjësore që shkojnë përtej trajtimit financiar. “Ne duhet të zgjidhnim problematikën shumë të vjetër në vendin tonë, ku raportit i shtetit me personat me aftësi të kufizuara kalonte vetëm nga pagesa kesh, pra paratë që shteti iu jepte personave me aftësi të kufizuara”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Mendoj se ky ka qenë një gabim i madh, sepse prapë është e pamundur që vetëm nëpërmjet saj të zgjidhen problematikat tuaja”, shtoi ai. Prandaj Klosi ka bërë të ditur se MMSR-ja është duke punuar për të realizuar një sërë ndërhyrjesh në këtë drejtim, si ato që lindin nga zbatimi i detyrimeve ligjore, ashtu edhe për të rishikuar skemën e trajtimit dhe të shërbimeve.