Gjergj Vyshka 03.12.2015 18:00
Migen Pero, drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Boksit, që është anëtar i Komisionit të Garave të Federatës Evropiane të sportit të “dorezave”, ka zbuluar detajet e fundit të mbledhjes së zhvilluar në Kolobzerg. Pero ka propozuar që Federata Evropiane e Boksit të mundësojë zhvillimin e kurseve të kualifikimit për gjyqtarë e trajnerë në të gjithë Ballkanin.
Gjë e cila në një farë mënyre është miratuar, ashtu sikurse Shqipëria ka kërkuar zhvillimin e një Kampionati Ballkanik pas dy vjetësh e pse jo edhe të një veprimtarie madhore ndërkombëtare. Ndërkohë boksi shqiptar përgatitet për Kupën e Shqipërisë, e cila më 18 dhjetor do të zhvillohet në Durrës. Sikurse janë të parashikuar që vitin e ardhshëm në Azerbajxhan dhe Turqi boksi shqiptar të shfrytëzojë mundësinë për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Megjithatë ajo që është e rëndësishme, teksa Pero sapo është kthyer nga Komisioni i Garave të Federatës Evropiane të Boksit, përveç miratimit të kalendarit të veprimtarive për vitin 2016, janë marrë parasysh dhe propozimet e Shqipërisë. Ndaj pritet që të organizohet një Ballkaniadë dhe një veprimtari e madhe ndërkombëtare, ndërsa Evropiani i të rriturve do të jetë çdo vit.