AlbanianSport.com 03.12.2015 17:05
ASNN – Kombëtaret shqiptare të futbollit për Nën-17 dhe Nën-19-vjeçaret kanë njohur kundërshtaret e Eliminatoreve të radhës, pas shortit të hedhur në Zvicër. Interesant është fakti se për Nën-17-vjeçarët, kuqezinjtë do të përballen me Serbinë, por edhe me Italinë, ndërsa Nën-19-vjeçarët do të ndeshen me Gjermaninë.
Është hedhur në Nion të Zvicrës, shorti i Eliminatoreve të Kampionatit Evropian për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve dhe atë të Nën-19-vjeçarëve dhe Shqipëria ka mësuar kundërshtarët e saj. Kështu, për Nën-17- vjeçarët, Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç është pozicionuar në grupin e 4-t.
Kundërshtarë të saj në këto Eliminatore do të jenë Serbia, Italia dhe Maqedonia. Ndeshjet e fazës së parë eliminatore do të zhvillohen në Itali, në datat 26, 28 dhe 31 tetor të vitit të ardhshëm.
Ndërkaq, ekipi kombëtar i Nën-19-vjeçarëve, që drejtohet nga trajneri Arjan Bellai, do të luajë kundër Gjermanisë, Irlandës dhe Gjibraltarit në grupi e katërt eliminator. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në datat 6, 8 dhe 11 tetor të vitit të ardhshëm pikërisht në Shqipëri.