AlbanianSport.com 02.12.2015 19:50
ASNN – Me takimin midis Laçit dhe Vllaznisë, që është fituar nga vendasit me rezultatin 2-0 dhe atë midis Flamurtarit dhe Kukësit, që është fituar nga miqtë me një gol të vetëm, ndeshje këto që nisën të dyja në ora 14:00, ka ngritur siparin java e 14-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kjo javë ka vijuar sonte me takimin e orës 17:00, midis Partizanit dhe Tërbunit, që u luajt në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Partizani vijon me fitoret, duke i çuar ato në 12 në këto 14 javë kampionat.
Ekipi që kryeson Kategorinë Superiore mundi Tërbunin me rezultatin 4-0, por Partizanit i është dashur rreth gjysmë ore lojë që të shënonte golin e parë me Ibrahimin, dhe më pas e zotëroi takimin.
Në këtë takim realizuan edhe Sukaj e Raçiç. Me këtë sukses, Partizani është 7 pikë larg Skënderbeut. Dy takimet e tjera luhen të enjten, duke nisur nga ora 17:00 dhe Skënderbeu pret në Korçë Bylisin.
Ndërsa po në të njëjtën orë, Tirana është mysafire në Durrës për t’u ndeshur me Teutën vendase. Kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Niko Dovana”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Durrsakët mbajnë vendin e 3-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 26 pikë, 3 më tepër Kukësi dhe 6 më tepër sesa sesa bardheblutë kryeqytetas, që kanë zbritur në vendin e 5-të, me 20 pikë.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Partizani, me 38 pikë, 7 më tepër sesa ndjekësja më e afërt dhe kampionia në fuqi, Skënderbeu, që, sidoqoftë, ka luajtur një ndeshje më pak.