AlbanianSport.com 02.12.2015 16:10
ASNN – Me takimin midis Laçit dhe Vllaznisë, që është fituar nga vendasit me rezultatin 2-0 dhe atë midis Flamurtarit dhe Kukësit, që është fituar nga miqtë me një gol të vetëm, ndeshje këto që nisën të dyja në ora 14:00, ka ngritur siparin java e 14-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kjo javë vazhdon sonte me takimin e orës 17:00, midis Partizanit dhe Tërbunit, që do të luhet në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Dy takimet e tjera luhen të enjten, duke nisur nga ora 17:00 dhe Skënderbeu pret në Korçë Bylisin, ndërsa po në të njëjtën orë, Tirana është mysafire në Durrës për t’u ndeshur me Teutën vendase.
Kjo ndeshje, që do të luhet në Stadiumin “Niko Dovana”, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Durrsakët mbajnë vendin e 3-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 26 pikë, 3 më tepër Kukësi dhe 6 më tepër sesa sesa bardheblutë kryeqytetas, që kanë zbritur në vendin e 5-të, me 20 pikë.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Partizani, me 35 pikë, 4 më tepër sesa ndjekësja më e afërt dhe kampionia në fuqi, Skënderbeu.