Gjergj Vyshka 02.12.2015 09:45
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erli Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Albens Vokopola, për dy ditë me radhë kanë qenë në Stamboll, atje ku kanë pasur takime të frytshme në Federatën turke, ndërsa janë pritur nga presidenti Oskan Mutlugil.
Sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” vetë i pari i volejbollit shqiptar, edhe duke qenë njëkohësisht edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ballkanike të Volejbollit, gjithçka me homologun turk është diskutuar rreth projekteve dhe mbështetjes për volejbollin tonë.
I pari i rrjetës shqiptare ka shpjeguar se turqit janë treguar të gatshëm që të ofrojnë kurse kualifikimi për trajnerët tanë edhe duke i pritur. Madje edhe italiani i kombëtares së Turqisë për të rritur, Emanuele Zanini, është treguar i gatshëm që të vijë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tij në rritjen e nivelit të trajnerëve tanë.
Pa thënë që janë treguar të gatshëm edhe për ndeshje miqësore në nivel kombëtaresh. Përtej kësaj vizita e Pëllumbit dhe Vokopolës në Stamboll quhet e frytshme, sepse kanë ardhur me projekte dhe me një mbështetje të plotë nga Turqia, që ka premtuar ndihmën e saj për rritjen e nivelit të volejbollit shqiptar.