AlbanianSport.com 13.11.2015 22:35
ASNN – Bosnjë-Hercegovinë dhe Irlanda kanë shënuar nga një gol secila të premten në mbrëmje, në takimin e parë të këtij çifti të “play-off”-eve të Evropianit “Francë 2016”, një rezultat ky që favorizon miqtë. Emocionet këtij takimi u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
“Play-off”-et, akti i fundit i fazës eliminatore të Evropianit “Francë 2016”, shorti i të cilëve është hedhur para 3 javësh dhe ka përcaktuar edhe rrugën e 8 skuadrave që do të kërkojnë 4 biletat e mbetura për fazën finale të veprimtarisë kontinentale të vitit të ardhshëm, kanë vijuar të premten me sfidën e dytë.
Në këtë sfidë janë përballur me njëra-tjetrën në takimin e parë Bosnjë-Hercegovina me Irlandën, një ndeshje që u mbyll në barazim 1-1. Pjesa e parë e kësaj sfide ka qenë kryesisht e barazpeshuar, me të dyja skuadrat që nuk e ngritën mbi nivelin mesatar lojën e tyre dhe më të kujdesshme për të mos pësuar sesa për të shënuar.
Ndërsa në pjesën e dytë, e cila është luajtur nën një mjegull të dendur, gjithçka do të shpërthejë në 8 minutat e fundit, kur irlandezët do të kalojnë të parët në epërsi, me anë të Robrt Bredit. Megjithatë, gëzimi i miqve do të zgjasë vetëm 3 minuta, pasi Xheko do të realizojë golin e barazimit për Bosnjë-Hercegovinën.
Dhe me shifrat 1-1 do të mbyllet i gjithë takimi. Ndeshja e kthimit Irlandë-Bosnjë-Hercegovinë luhet të hënën, më 16 nëntor 2015.