AlbanianSport.com 13.11.2015 14:20
ASNN -Të mërkurën, në palestrën e peshëngritjes në Shtërmen është zhvilluar një garë kontrolli në të cilën ka marrë pjesë presidenti i Federatës Shqiptare të shtangës, Elez Gjoza, si dhe sekretari i përgjithshëm Agron Haxhihyseni.
Ajo që duhet bërë e ditur është se peshëngritësi Briken Calja në peshën 69 kg dhe Erkand Qerimaj në peshën 77 kg do të përfaqësojnë Shqipërinë në Botërorin e Hjustonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga data 20, deri më 28 nëntor.
Në këtë garë kontrolli, e cila ka qenë e fundit përpara këtij Botërori, ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska, i cili ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e Caljes.
Madje shtërmenasi ka marrë edhe duartrokitjet e presidentit Gjoza dhe të trajnerit Leonard Toska për gjendjen e mirë që ka shfaqur. Si trajneri Ilir Toska, ashtu dhe peshëngritësi Calja kanë vendosur që të heshtin përpara nisjes së tyre për të garuar në Botërorin e Amerikës.
Ata kanë vendosur që të flasin për mediet vetëm pasi të kthehen duke parë edhe rezultatin që do të marrin atje.