Gjergj Vyshka 13.11.2015 13:25
“Luanim ndaj një ekipi serb, që aktualisht kryeson kampionatin në vendin e tij, – ka deklaruar trajneri i Studentit, Ylli Tomorri. – Luanim ndaj shkollës serbe të volejbollit niveli i së cilës në arenën ndërkombëtare dihet. Dhe mund të them se deri diku rivalizuam, sidomos në setin e tretë, ku treguam karakter dhe shpirt gare. Ne kemi shumë djem të rinj në përbërje e mbi të gjithë dua të vlerësoj 18-vjeçarin Qafarena (luan me Vllazninë), i cili u vu në dispozicionin tonë në këtë turne.”
“Një lojtar që ishte i pakapshëm dhe në rast se do të ishte në kahun tjetër të rrjetës nuk do të kishte asgjë më pak se rivalët tanë serbë, – ka vijuar ai. – Luajmë pak, shumë pak ndeshje ndërkombëtare. Kjo ishte e para për ne, ndërsa Spartaku ka zhvilluar 28 të tilla gjatë muajve të fundit. Kaq mjafton për të kuptuar diferencat. Unë kam vite që luaj në Kupat e Evropës dhe për herë të parë shoh një ekip që gabon kaq pak. Një skuadër e saktë dhe me lojtarë me përvojë, që bënë diferencën ndaj nesh.
“Kjo, sidomos në dy setet e para, – theksoi Tomorri. – E thashë, luajtëm ndaj shkollës serbe dhe rivalizuam në setin e tretë. Janë disa faktorë që ndikojnë. Lojtarët e huaj janë të rëndësishëm, ashtu siç po ndodh kudo në botë sot në sport. Por unë jam i mendimit që duhet investuar shumë tek të rinjtë që kemi. Mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare ndikon dhe për fat të keq nuk kemi as sfida të tilla me kombëtaren. Por mendoj se ky ngërç me kombëtaren do të kalojë shpejt. Ne punojmë për volejbollin, por ky është niveli i kampionatit tonë dhe nuk mund ta krahasojmë me atë serb”