Gjergj Vyshka 10.11.2015 11:35
Agjencia Botërore e Antidopingut i ka kërkuar Federatës Botërore të Atletikës që Rusia të përjashtohet nga të gjitha veprimtaritë, përderisa Moska nuk qartëson asgjë për rastin në fjalë. Reagimi i rusëve: “Është politike”. Një tërmet i madh po ndodh në atletikën botërore e në mënyrë të veçantë në atë të Rusisë. Komisioni i pavarur i ngritur nga Agjencia Botërore e Antidopingut i ka kërkuar Federatës Botërore të Atletikës që Rusia të jetë e përjashtuar nga të gjitha veprimtarie derisa Moska nuk arrin të qartësojë asgjë për rastet e fundit të daljes pozitiv të sportistëve të saj.
Në raport, Komisioni akuzon qeverinë ruse për përfshirje në të gjitha rastet e dopingut duke arritur që ta vendosë gishtin edhe tek shërbimet sekrete. Kremlini ka kontrolluar laboratorin e antidopingut në Moskë edhe gjatë Lojërave Olimpike Dimërore “Soçi 2014”. Në reagimin e tyre rusët kanë deklaruar se nuk kanë asnjë të drejtë për të na pezulluar. Që do të thotë se Rusia nuk është menduar dy herë, por është hedhur menjëherë në kundërsulm ndaj Agjencisë Botërore të Antidopingut. “Nuk keni të drejtë të na pezulloni”, është përgjigja e parë e Ministrit të Sporteve, Vitali Mutko.
Kjo deklaratë është ndjekur dhe nga kryetari i Agjencisë Federale mjekësore-biologjike ruse, Vladimir Uiva. “Motivet e Agjencisë Botërore të Antidopingut janë krejtësisht politike si sanksionet ndaj Rusisë, – ka thënë ai. – Nuk ka asnjë motiv për të privuar atletët tanë nga medaljet olimpike, që do të thotë se ato nuk mund të skualifikohen. Duam të kemi mundësinë për ta mbrojtur reputacionin tonë”. Nuk duhet harruar që Federata Botërore e Atletikës ka pasur edhe një problem tjetër, që lidhet me ish-presidentin Lamin Diak, i cili tashmë është nën hetim për korrupsion.
Pra në tërësinë e vet e gjithë kjo situatë me rusët e kapur me shumicë me doping trondit familjen e atletikës botërore.