AlbanianSport.com 14.10.2014 10:15
ASNN – Mbrojtësi i kënaqur me ambientin që e rrethon atë dhe familjen e tij në Lezhë: “Ndeshja do të ishte mirë të përfundonte në barazim për të dyja palët, sepse ka miqësi brenda”. Sonte, në stadiumin e Partizanit të Beogradit, do të luhet supersfida mes Serbisë vendëse dhe Shqipërisë e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”.
Një ndeshje e cila ka tërhequr dhe vëmendjen e publikut shqiptar, paçka se do ta shikojë atë sfidë nga televizori, por dhe atij serb. Por jo vetëm kaq. Kampionati shqiptar i të gjitha kategorive prej vitesh ka sjellë futbollistë serb, të cilët janë idhuj të tifozerive përkatëse. Një prej tyre është dhe Milan Xhorxheviç, që sivjet është pjesë e Besëlidhjes dhe me këtë skuadër kërkon ngjitjen në Kategorinë Superiore. Ja dhe intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Gazeta e Sportit”.
– Ju i keni parë të dyja ndeshjet e së shtunës, Armeni-Serbi dhe Shqipëri-Danimarkë, që kanë përfunduar me të njëjtin rezultart 1-1. Cili është mendimi juaj?
– Unë kam parë me vëmendje Shqipëri-Danimarkë dhe me të thënë të drejtën më ka pëlqyer loja e kombëtares shqiptare. Ka luajtur një ndeshje të mirë deri në minutën e 70-të dhe më pas ekipi shqiptar shfaqi shenja lodhjeje. Dhe, për rrjedhojë, nuk e kontrolloi si duhet lojën e ndoshta kjo është arsyeja që pësoi dhe golin. Pësoi atë që gol që danezëve u vlejti për të marrë një pikë në Shqipëri. Shqipëria i kishte të gjitha mundësitë ta fitonte ndeshjen, ndërsa më ka pëlqyer në mënyrë të jashtëzakonshme autori i golit. Sa për ndeshjen Armeni-Serbi mund të them se ka qenë një ndeshje identike me atë që Shqipëria ka luajtur përballë Danimarkës. Skuadra serbe ka humbur raste për shënim. Më kanë çuditur futbollistët serbë që nuk kanë luajtur në nivelin e duhur, ndërsa luajnë në skuadra të njohura evropiane të tilla si Lacio, Inter, apo dhe në kampionatin anglez.
– Si e mendoni rezultatin përfundimtar të sfidës së sotme?
– Mendoj se nuk do të ketë shumë gola, ndërsa them se ajo ndeshje mund të përfundojë dhe barazim.
– Cili është opinioni juaj për shqiptarët?
– Unë jetoj me familjen time në Lezhë. Ndihem mjaft mirë, sepse familja ime trajtohet dhe respektohet në mënyrë të përsosur. Dhe kjo nga të gjithë ata që na njohin. Dua të veçoj se kam shumë shokë në Shqipëri. Unë jam ortodoks dhe kam shokë katolikë dhe myslimanë, me të cilët rri çdo ditë. Së bashku jetojmë në paqe dhe jemi si vëllezër. Nuk ka asnjë dallim mes nesh. Mendoj se edhe ndeshja Serbi-Shqipëri do të zhvillohet pa probleme. Është një ndeshje normale futbolli dhe nuk duhet të ketë ekstremitete të tifozëve gjaknxehtë.
– Diçka për Besëlidhjen?
– Unë dua që së bashku me këtë skuadër të jemi sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore, sepse e meritojnë të gjithë në Lezhë që të jenë në elitën e futbollit shqiptar.
– Së fundi, si do ta dëshironit përfundimin e Serbi-Shqipëri?
– Tani unë jam i ndarë në dysh. Do të doja një barazim, pasi të dyja ekipet kanë lojtarë që janë shok të një skuadre. Të tillë si Cana e Xhorxheviç tek Lacio. Ata janë shokë, jetojnë në miqësi me njëri-tjetrin dhe ndeshja do të ishte mirë të përfundonte në barazim për të dyja palët.